OSHEE Group më pranë qytetarit – shërbim i ri online për raportimin e rreziqeve nga rrjeti elektrik
Për të forcuar komunikimin me qytetarët dhe për të përmirësuar shërbimet e saj, OSHEE Group ofron një shërbim të ri digjital për raportimin dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të problematikave që lidhen me rreziqet nga rrjeti elektrik.
Prej disa ditësh, platforma e re online është aktive dhe e përdorshme për qytetarët. Përmes saj, ata mund të raportojnë raste që rrezikojnë sigurinë e komunitetit pranë zonave të tyre të banimit, si: kabina elektrike të dëmtuara ose të hapura, shtylla të amortizuara, tela të ekspozuar apo çdo element tjetër që mund të përbëjë rrezik për sigurinë publike.
Projekti pilot po zbatohet fillimisht në Tiranë. Duke skanuar kodin QR të vendosur në boksin elektrik të çdo pallati, qytetarët mund të raportojnë problematikën drejtpërdrejt në platformën e re, duke plotësuar formularin në seksionin “Raporto rrezik energjie”
Raportimet mund të bëhen gjithashtu edhe përmes faqes zyrtare të OSHEE Group, www.oshee.al.
Risia e këtij shërbimi qëndron te transparenca dhe komunikimi i vazhdueshëm me qytetarin. Për çdo raportim, qytetarët informohen mbi statusin e ankesës, që nga momenti i pranimit, faza e shqyrtimit dhe deri në përfundimin e ndërhyrjes nga ekipet e OSSH-së në terren.
Pas marrjes së njoftimit, ekipet e OSSH-së, pjesë e OSHEE Group, ndërhyjnë për verifikimin dhe zgjidhjen përfundimtare të problematikës.
Ky shërbim është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të shërbimit të OSHEE Group ndaj qytetarëve
